Zbardhet biseda me përgjegjësin e stacionit. Gabimi që shkaktoi tragjedinë më të madhe hekurudhore në Greqi

Nga A2 CNN
2 Mars 2023, 09:48 | Ballkani

Zbardhja e bisedës mes makinistit të trenit të pasagjerëve dhe punonjësit në stacionin e Larisës ka hedhur dritë mbi gabimin njerëzor që mund të ketë çuar në tragjedinë me të paktën 43 viktima në Greqi.

Mediat greke kanë publikuar transkriptet e bisedës dhe rezulton se drejtuesi i stacionit e udhëzon makinistin të vijojë udhëtimin nga Selaniku, por në atë linjë po lëvizte treni i mallrave.

PJESË NGA BISEDA

Makinisti: A më dëgjoni Larisa?

Shefi i stacionit: Dëgjojmë. Me numrin 47 kaloni semaforin e kuq të daljes, në semaforin e ri të hyrjes së Poros.

Makinisti- VasilI, po iki?

Shefi i stacionit – Po mund të largohesh.

Makinisti- U krye, natën e mirë!

Shefi i stacionit – Paç fat.

Të dy makinistët nuk janë habitur nga drita e kuqe që kanë parë përballë, pasi sistemi i sinjalistikës së dritës nuk funksiononte. Duke cituar burime nga hekurudha, mediat greke raportojnë se drejtuesi i stacionit as që e kishte kuptuar që treni kishte hyrë në binarë të gabuar dhe nuk pati mundësi që ta korrigjonte gabimin e tij në pak minutat e mbetura.

Nëpunësi i stacionit hekurudhor: Mbret, a ta kthej?

Përgjegjësi i stacionit - Jo, jo lëre ashtu siç është, sepse pason 1564.

Nëpunësi i stacionit të trenit - U bë, mirë, do ta lë ashtu siç është diagonalisht.

Kjo bisedë e shkurtër zbulon se çfarë ndodhi në të vërtetë. Punonjësi i shinave e pyeti drejtuesin e stacionit nëse duhej t’i kthente binarët drejt që treni të vijonte në linjën normale pa probleme.

Megjithatë, shefi i stacionit i tha atij se një tren lokal do të përdorte diagonalen, gjë që e bëri. Por më pas ai harroi të kthente binarët dhe treni me pasagjerë u fut në drejtimin e gabuar.

Dialogët janë formalë, pasi makinistët e trenave nuk kishin asnjë arsye për të vënë në dyshim urdhrin e drejtuesit të stacionit, pasi besonin se ai e kishte kontaktuar kolegun e tij në stacionin tjetër, në Neios Poros, dhe e morën të mirëqenë se linja ishte e hapur.

Vihet re se në këtë ditë të veçantë janë regjistruar disa probleme teknike, si pasojë e të cilave pjesë të linjave janë mbyllur me intervale.

Vetë treni me pasagjerë ishte nisur në orën 22:48 me 48 minuta vonesë nga stacioni hekurudhor i Paleofarsalos, dhe mbërriti në “takimin e vdekjes” me trenin tregtar pak minuta pas orës 23:00.

Shefi i stacionit, pasi fillimisht pretendoi se kishte futur trenin në shinat e duhura, "por nuk iu bind sistemi", pranoi gabimin e tij fatal pasi u mor në pyetje nga autoritetet dhe përballet me akuza të rënda për vrasje.

https://a2news.com/2023/03/01/43-viktima-nga-tragjedia-ne-greqi-mitsotakis-trenat-u-perplasen-pas-nje-gabimi-njerezor/
https://a2news.com/2023/03/02/shperthejne-protestat-ne-greqi-pas-aksidentit-tragjik-protestuesit-e-zemeruar-perleshen-me-policine/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi