Një ditë pas mosdekretimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm nga Meta, Kryeministri, me kërkesë të tij, i shkoi në zyrë Presidentit.
Mësohet se takimi ka zgjatur rreth 90 minuta dhe fillimisht askush nuk ka dhënë detaje nga ajo çfarë është biseduar, por më pas ishte kryeministria me një mesazh të shpërndarë për gazetarët që bëri të ditur se tema ka qenë pikërish mosdekretimi i Sandër Lleshit, por në mesazh thuhet se bashkëbisedimi ishte i hapur dhe konstruktiv dhe se do të vazhojë edhe në vijim.
"Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës."-thuhet në këtë reagim.
Të paktën nga përmbajtja e këtij mesazhi duket se Rama ka ende shpresa që ta bindi Metën për të dekretuar Lleshin, ndonëse përtej afateve kushtetuese. Përndryshe, Kryeministri ka disa opsione në dispozicion. Një prej këtyre është që t’i dërgojë Metës një propozim tjetër, por burime nga mazhoranca tregojnë se kjo ka pak gjasa që të ndodhë. Një tjetër mundësi është që Parlamenti të rrëzojë dekretin presidencial të shkarkimit të Fatmir Xhafës nga detyra, duke e kthyer atë në krye të Ministrisë së Brendshme. Por ky variant, pohojnë burimet, ka pak probabilitet të ndodhë.
Mundësia më e madhe është që Kryeministri të emërojë Sandër Lleshin zv/ministër të parë, duke i dhënë atij drejtimin e dikasterit përmes delegimit të kompetencave ministrore. Kjo do të shmangte kalimin nga Meta për dektret. (A2 Televizion)