Një bakter i rrezikshëm në ujë, Britania largon azilkërkuesit nga "burgu lundrues"

Nga A2 CNN
11 Gusht 2023, 15:51 | Bota

Britania e Madhe ka vendosur të largojë emigrantët azilkërkues nga i ashtuquajturi “burg lundrues” ku i kishte vendosur disa ditë më parë, për shkak se në ujin që furnizon kompleksin ishte gjetur një bakter i rrezikshëm i quajtur Legionella.

Lajmin e dhanë disa media britanike, përfshi “Reuters”, “Sky News” dhe “The Guardian”. Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, të cituar nga “The Guardian”, bakteri mund të shkaktojë infeksione në mushkëri, pneumoni dhe ethe.

Mediat britanike raportojnë se në bord të mjetit lundrues, që të premten u ankorua në Devon, ndodheshin 39 azilkërkues. Në total, aty mund të qëndrojnë 500 persona, të ndarë në 200 dhoma.

Zhvendosja e emigrantëve, mes të cilëve edhe shqiptarë, në platforma lundruese në brigjet jugore të Britanisë së Madhe, ka nxitur polemika të shumta në vend. Ekspertët kishin paralajmëruar që më prë për rrezikun e shpërthimit të infeksioneve mes kushteve të jetesës që aktivistët i quajnë çnjerëzore.

https://youtu.be/SRUlfdlzQsg

Qeveria Sunak synon të strehojë rreth 500 burra beqar në më shumë se 200 dhoma gjumi,  si pjesë e planeve për të kursyer fonde, duke u hequr mundësinë e dërgimit në hotele të emigrantëve që mbërrijnë ne vend me gomone.

Vendimi ka ndarë komunitetet lokale, me disa që i cilësojnë kushtet e strehimit për shtetas që vijnë nga vende si Iraku, Irani, Siria, Afganistani, ose Shqipëria, si çnjerëzore. Të tjerë i druhen ndikimit te shërbimet lokale dhe janë të shqetësuar nëse vendet ku do të strehohen emigrantët do të bëhen objektiva për protesta.

Më shumë se 50,000 azilkërkues po jetojnë në hotele në Britani pasi kaluan kanalin e La Manshit, nga Franca drejt Britanisë së Madhe. Qeveria thotë se hotelet kushtojnë 7,6 milionë dollarë në ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos