Pavarësisht ofertave të çmendura nga Lindja e Mesme, Napoli nuk ka ndërmend të largojë yllin e skuadrës Viktor Osimhen. Presidenti De Laurentiis i ka thënë jo 130 milionë eurove që arabët e Al Hilal kishin ofruar për sulmuesin.
Nigeriani është afër rinovimit të marrëveshjes së re me kampionët e Italisë dhe shumë shpejt pritet të firmosë kontratën deri në vitin 2027 me një pagë që do të arrijë në 7 milionë euro në sezon.
Siç bëjnë me dije mediat italiane, Napoli do të heqi dorë nga Osimhen vetëm nëse një klub do të paguajë 200 mln Euro. Interes për nigerianin ka shfaqur dhe Paris Saint Germain që e sheh 24-vjeçarin si zëvendësuesin ideal të Kilian Mbappe, megjithatë çmimi që italianët kanë vendosur duket i ekzagjeruar dhe për sheikët e Parisit.
Vetë lojtari gjithmonë ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Itali dhe vijon përgatitjet intensive me Napolin për sezonin e ri. Sezonin e kaluar Osimhen u aktivizua në 32 ndeshje dhe realizoi 26 gola ndërsa ishte një nga protagonistët kryesorë për të kaltrit që të shpalleshin kampion. (A2 Televizion)