Pas padisë së Presidentit, reagon Kuvendi: Pretendimet e tij nuk qëndrojnë

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 16:20 | Politikë
Pas padisë së Presidentit, reagon Kuvendi: Pretendimet e tij nuk

Kuvendi i Shqipërisë reagoi pas akuzave të presidentit Ilir Meta për falsifikim të dokumenteve edhe provave kundër tij, të paraqitura në çështjen mes palëve në Gjykatën Kushtetuese.

“Në respekt të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, Kuvendi respekton heshtjen dhe nuk bën komente për rastin në fjalë. Për sa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për falsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë. Kuvendi i Shqipërisë, në datën 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim”, thuhet në një njoftim të shkurtër të Kuvendit.

Gjatë paradites, Meta publikoi dopio-padinë penale, në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës, ndaj zyrtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët i vë nën akuzën se kanë falsifikuar dokumentet që depozituan si prova në Gjykatën Kushtetuese. Në foltoren presidenciale, Ilir Meta, e konsideroi procedurën e shkarkimit, si një grusht shteti ndaj institucionit më të lartë në vend.

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Falsifikimi tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi njëpartiak, por është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend me opozitën. Është një grusht shteti ndaj institucionit të Presidentit të Republikës”, tha Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos