Edhe pse e cunguar nga masat shtrënguese të pandemisë, jeta universitare ka vijuar duke zbuluar madje forma alternative mësimdhënie, që mund t’i shërbejnë edhe në të ardhmen.
Pedagogu pranë fakultetit Ekonomik në Tiranë, Mirdaim Axhami, thotë për A2 se reagimi ndaj vështirësisë së papritur ka qenë i mirë, nga stafi dhe studentët. “Filluam menjëherë mësimin online, edhe se platformat që mundësonin këtë nuk ishin të siguruara më përpara nga Ministria. Kanë dalë tashmë edhe datat e provimeve për vitet e treta në bachelor dhe të dytat në master, të provimeve dhe të diplomimit, ku provimet do të zhvillohen në ambiente fizike që do të respektojnë distancimin social”.
Një nga këto metoda alternative ka qenë mësimdhënia “open air”, pra në ambient të hapur. Një metodë që kujton praktikën e filozofëve klasikë, dhe ndoshta me këtë qasje vendndodhja ka qenë ajo e amfiteatrit në liqenin artificial. “Nisi si ngacmim i Bashkisë dhe më pas erdhi miratimi i Dekanatit, mendoj se ishte diçka pozitive që respektoi masat dhe mblodhi rreth 300 studentë në leksione, duke na lehtësuar organizimin”. Këto metoda, bashkë me mësimdhënien online, kanë lënë gjurmë te ne, dhe duhet të vijojnë siç ndodh edhe në universitetet më prestigjioze në botë”, thotë Axhami.
Por Universiteti ka edhe ngërçe, si ai i zgjedhjeve. Axhami mendon se mungesa e tyre për shkak të pandemisë ka penguar mbarëvajtjen e institucioneve. “Disa prej këtyre institucioneve janë përballur me njëra-tjetrën, dhe mundësia e zgjedhjeve, të parashikuara që nga 9 maji që u shtynë më 12 qershor nga pandemia dhe tashmë janë me afat të pacaktuar, do të mundte të shmangte këto përplasje”, vëren pedagogu.
Axhami flet edhe për situatën ekonomike në vend, që ka ndikuar në çdo hallkë të sistemit produktiv. Ai vëren që dy elementet më të rëndësishme në përgjigjen e ekzekutivit ndaj krizës kanë pasur të meta. “Si ekspert marketingu, mendoj se vetë emri i pagës së luftës ndikon negativisht në perceptimin e individëve për situatën që po kalon. Ndërkohë ecuria e garancisë sovrane ishte e avashtë, me problematika si ndërrimi i procedurave dhe afateve, me masa më shumë shtrënguese sesa nxitëse. Të gjithë tregojnë se stimujt pozitivë kanë më shumë rezultat se ato negativë. Por nuk ishte një befasi e madhe kjo vështirësi, duke parë çka po ndodh edhe rreth vendit tonë”, thotë Axhami. (A2 Televizion)