“Lufta duhet të marrë fund tani”. Me këtë mesazh iu drejtua liderëve botërore presidenti Volodymir Zelensky, i cili theksoi se tani ishte momenti për të mbështetur një plan paqeje, pas mundjes së Rusisë në qytetin jugor të Kherson.
Ai foli përmes një videolidhje për liderët e G20-s, të cilët janë mbledhur në ishullin indonezian të Balit për një samit që pritet të eklipsohet nga lufta në Ukrainë dhe shqetësimet për inflacionin global, ushqimin dhe sigurinë energjetike.
Zelensky i kërkoi udhëheqësve globalë përfshirë presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij kinez Xi Jinping, të miratojnë një formulë paqeje prej 10 pikësh, i mbështetur te karta e OKB-së dhe ligji ndërkombëtar.
“Ne nuk do të lejojmë Rusisë të rigrumbullojë forcat e veta dhe më pas të ndërmarrë një seri aktesh terroriste. Jam i bindur se tani është koha për të ndalur luftën shkatërruese të Rusisë”, tha Zelensky.
Liderët e vendeve të G20-s po konsiderojnë një draft rezolutë, ku shumica e anëtarëve dënojnë ashpër luftën dhe theksojnë se ajo po përkeqëson ekonominë globale. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, kritikoi luftën barbare të Rusisë në Ukrainë dhe tha se qeveria e Putinit do të dëgjonte korin e kundërshtisë globale ndaj veprimeve të tij.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkoi homologut kinez të bashkohet me Francën kundër luftës në Ukrainë. Duke folur në nisje të takimeve bilaterale në G20. Ai theksoi se stabiliteti i botës ishte edhe në interes të Kinës. Kievi sakaq mirëpriti kritikat e Kinës ndaj kërcënimeve për përdorimin e armëve bërthamore pas takimit të presidentit amerikan Biden me homologun kinez Xi Jinping. Në një deklaratë të publikuar pas takimit në Ministrinë e Jashtme të Kinës, thuhej se konfrontimi mes fuqive të mëdha duhet të shmangej. (A2 Televizion)