Pedagogu në Universitetin e Tokios, Medlir Mema mendoi se përgjegjësia e bllokimit të procesit të integrimit nuk është vetëm e BE, por edhe e politikanëve shqiptarë.
Ai u shpreh se nuk beson se ka politikanë që nuk e duan integrimin, por shtoi se ata mendojnë se BE do ta anëtarësojë Shqipërinë kur të vijë koha e duhur, edhe pse ndoshta nuk mund t’i kenë plotësuar detyrat e nevojshme.
“Nuk jam plotësisht dakord që përgjegjësia është plotësisht në shpatullat e Bashkimit Europian. Sepse ne jemi në Europë në aspektin gjeografik, por jo në aspektin tonë politik dhe atë të vlerave tona institucionale apo ndoshta dhe përparësive politike. Ka makinacione, llogaritje dhe shqetësime të brendshme në BE, këto janë të qarta. Por mendoj që e vetmja gjë që mund të kontrollojmë është ajo se çfarë mund të bëjmë ne dhe jo se çfarë bën Macron në Francë.
Dhe këtu në Shqipëri mund të them se nuk është bërë mjaftueshëm, në fakt është bërë më pak dhe kam frikë në fakt, nëse vërtetë nuk ka politikanë që duan të qëndrojnë jashtë BE, kam frikë që politikanët dhe qeveritarët shqiptarë kanë menduar dhe kanë vënë bast që interesi europian është për të thithur Ballkanin Perëndimor brenda BE, pavarësisht nëse bëhen reformat apo jo”, tha Mema. (A2 Televizion)