Presidenti, Alibeaj: Mazhoranca nuk i ka votat; Balla: Do ta shikoni kur të votohet

Nga A2 CNN
26 Maj 2022, 14:54 | Politikë
Presidenti, Alibeaj: Mazhoranca nuk i ka votat; Balla: Do ta shikoni kur të

Enkelejd Alibeaj, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, tha se është detyrim i opozitës që të mos bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe shtoi se mazhoranca nuk i ka 71 votat që duhen.

“Është detyrim i opozitës të mos shmangej nga procesi i zgjedhjes së Presidentit, të mos bojkotonte. Është një sfidë që duhet t’i shkojmë përballë. Mazhoranca kurrë nuk i ka 71 vota, me çfarë i ka? Me tre mandate të Tom Doshit? Me dy mandate të Aqif Rakipit? Apo me të tjerë që i ke pas qelisë? Të krijojmë një kulturë të re dhe të futemi në të me moral. Ne u ofruam me një dokument me ca rregulla të thjeshta. Sapo emrat që ishim thjesht propozime fillestare dolën, ditën tjetër PS u tërhoq, Rama u tërhoq”, tha Alibeaj.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u përgjigj se mazhoranca i ka numrat e duhur për të vendosur Kreun e ri të Shtetit.

“Ne dëgjuam emrat e opozitës. Kemi rënë dakord që në dy raunde të propozojnë vetëm ata, me shpresën që PD do të ushtrojë të drejtën e saj. Ditët e mbetura të përdoren me përgjegjësi. Pjesëmarrja në proces është përgjegjësi kushtetuese, asnjë nga palët nuk po merr pjesë për respekt të palës tjetër. PS ka numrat dhe momenti i votimit të Presidentit do të doja të zgjidhej me më shumë se 84 vota, të mos shkojë dëm gjithë kjo përpjekje për konsensus, por ne do ta ushtrojmë të drejtën tonë për të propozuar dhe deputetët do ta votojnë. Shprehja me votë është shprehja më kuptimplotë e demokracisë”, tha Balla.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024