
Një oficer policie është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) pasi është kapur duke shpërdoruar detyrën. Bëhet fjalë për oficerin me inicialet, A.XH., 31 vjeç. I riu, duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte qytetarët, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt parave.
“Nga hetimet e kryera janë arritur të dokumentohen veprimet korruptive të oficerit A.XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra si oficer në Seksionin e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës e duke shfrytëzuar pozicionin, ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare”, thuhet në një njoftim të AMP.
Hetimet vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, teksa ndaj tij rëndojnë akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
"Sapo kemi dërguar para drejtësisë një tjetër oficer policie me gradën N/Komisar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, të përfshirë në korrupsion dhe minim të luftës së policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Përgëzoj Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Durrës", thekson Balla.