Procesi për sulmin në Kapitol, Donald Trump kërkon ndryshimin e gjykatëses

Nga A2 CNN
7 Gusht 2023, 07:50 | Bota
Procesi për sulmin në Kapitol, Donald Trump kërkon ndryshimin e

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, bëri me dije se ka udhëzuar avokatët që t'i kërkojnë gjykatëses, Tanya Chutkan, të tërhiqet nga gjyqi kundër tij për sulmin në Kapitol Hill, si dhe zhvendosjen e procedurave gjyqësore nga Uashingtoni në një qytet tjetër.

“Është e pamundur për mua të kem një gjykim të drejtë me gjyqtarin që më është caktuar dhe në atë vend”, tha ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë në një postim në faqen e tij të rrjeteve sociale “Truth”.

Gjykatësja e emëruar nga presidenti Barack Obama në vitin 2014, u zgjodh me short, por është gjithashtu ajo që ka gjykuar rastet e tjera për sulmin ndaj Kongresit dhe që ka dhënë dënimet më të rënda.

Në dy vitet e fundit, e njëjta gjykatë ka dënuar për planifikimin ose pjesëmarrjen në sulmin e 6 janarit 700 persona, me 560 prej tyre që ndodhen në burg me dënime deri në 18 vjet.

Ish-presidenti ngarkohet me 4 akuza të reja pas hetimeve të departamentit të drejtësisë lidhur me përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në 2020-n. Ndër të tjera, akuzohet për komplot ndaj Shteteve të Bashkuara dhe pengim të procedurave zyrtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos