Sardenja në flakë, Italia rrit dënimin me burg për zjarrvënësit

Nga A2 CNN
6 Gusht 2023, 20:44 | Bota

Sardenja është aktualisht zona më e goditur nga zjarret në Itali. Teksa veriu i vendit po përjeton mot të keq me stuhi shiu dhe bore në disa zona, ishulli mesdhetar nga veriu në jug është i rrezikuar nga flakët.

Zjarret kanë bërë që qindra banorë të evakuohen, dhjetëra hektarë tokë bujqësore dhe agrume të digjen, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë nga toka dhe nga qielli.

Sipas mediave vendase gjashtë ekipe zjarrfikëse me 30 burra dhe 12 automjete po punojnë në terren, ndërsa qeveria ka angazhuar edhe flotën e avionëve Super Puma dhe helikopterët rajonale, plus disa Canadair në këtë operacion.

Situatë shumë e rëndë gjatë pasdites është shënuar në Monte Longu di Posada, Siniscola dhe vendpushimit bregdetar të La Caletta.

Presidenti i Rajonit Christian Solinas ka kërkuar nga Mbrojtja Civile Kombëtare të forcojë flotën ajrore kundër zjarrit dhe bën thirrje për aktivizimin e mekanizmit evropian të mbrojtjes civile.

Ndërkohë, nga Roma vjen një vendim zyrtar për rritjen e dënimeve me burg për zjarrvëniet e qëllimshme. Ministrat e kanë firmosur vendimin para se të nisin pushimet duke bërë ndryshime në dispozitat e nenit 423-bis të kodit penal.

Minimumi ligjor për ata që shkaktojnë zjarr në pyje ose në fidanishte pyjore të destinuara është rritur nga katër në gjashtë vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos