Propozimi antikorrupsion i BE: Listë “non grata” për “kancerin politik” në mbarë botën

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 16:36 | Bota
Propozimi antikorrupsion i BE: Listë “non grata” për

Bashkimi Europian mund të ketë për herë të parë një listë me persona “non grata” për individë të përfshirë në korrupsion.

Unioni prezantoi planin për të luftuar fenomenin e dëmshëm jo vetëm brenda shteteve anëtare, por edhe më gjerë në mbarë botën, marrë shkas nga skandali i madh i vitit të kaluar “Qatar gate” që përfshiu disa ligjvënës dhe zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian.

Përmes ligjeve të reja, BE synon që të fuqizojë luftën ndaj korrupsionit duke ndryshuar përkufizimin për krimet dhe dënimet që lidhen me këtë fenomen.

“Do ta krahasoja korrupsionin me kancerin, ndaj të cilit duhet një punë e madhe parandaluese, por gjithashtu kur parandalimi dështon, atëherë nevojitet trajtim i duhur. Për fat të keq, ne nuk kemi një pilulë magjike kundër korrupsionit. Por ne duhet të punojmë fort dhe të miratojmë këtë paketë ligjore si dhe të bëjmë shumë ndryshime në nivelin e vendeve anëtare pasi ajo çfarë dëgjojmë dhe shikojmë është se korrupsioni po vret demokracinë tonë. Po vret besimin e njerëzve në institucione demokratike.”

VERA JOUROVA, ZV.PRESIDENTE E KOMISIONIT EUROPIAN

“Po propozojmë të kriminalizojmë të gjitha format e korrupsionit në të gjitha vendet anëtare, jo vetëm rryshfetin, por edhe trafikimin, ndikimin dhe pasurimin e paligjshëm, përvetësimin dhe abuzimin me pushtetin.”

MARGARITIS SCHINAS, ZV.PRESIDENT I KOMISIONIT EUROPIAN

Sipas propozimit, të gjitha shtetet e BE-së duhet të përshtatin kodet e tyre penale me ligjet e reja, për të sanksionuar, dënuar dhe ngrirjen e aseteve të atyre që do përfshihen në listën e zezë.

Kjo do të jetë shumë e vështirë për ta vënë në zbatim, pasi duhet aprovuar në mënyrë unanime nga të gjitha vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, me disa liderë që dyshojnë se mund të jetë një përpjekje për t’i rrëzuar nga pushteti.

Megjithatë, plani antikorrupsion i BE udhëzon zyrtarët që për të shpallur një individ “non grata” duhen prova konkrete dhe që personat e prekur të kenë të drejtën ta apelojnë vendimin në Gjykatën Evropiane.

Propozimi i Brukselit është i ngjashëm me Aktin Magnitsky në Shtetet e Bashkuara, me të cilin Uashingtoni ndëshkon zyrtarët e qeverive të huaja të implikuar në raste korrupsioni dhe abuzimi me të drejtat e njeriut.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani