Propozimi i Ilir Beqajt, Braçe tregon për A2 qëndrimin e qeverisë për uljen e pagave dhe pensioneve

Nga A2 CNN
29 Prill 2020, 09:06 | Politikë
Propozimi i Ilir Beqajt, Braçe tregon për A2 qëndrimin e

Erion Braçe, zv/kryeministri i vendit, në një lidhje direkte me studion e “Dita jonë” në A2, reagoi në lidhje me propozimin e Ilir Beqajt për uljen me 10% të pagës së të punësuarve në sektorin publik dhe prekjen e pensioneve suplementare.

“Nuk jam dakord me propozimin. Zoti Beqaj ka dhënë një mendim të tijin, që është në të drejtën e tij. Por, edhe unë kam të drejtën të jem kundër. Nuk ka asnjë iniciativë të qeverisë për të prekur pagat e sektorit publik dhe për të ulur pensionet suplementare”, theksoi Braçe.

“Unë mendoj se buxheti i shtetit ka akoma rezerva në shpenzime, duhet ta administrojë akoma më mirë dhe akoma me më shumë përgjegjësi shpenzimet operative”, shtoi zv/kryeministri.

Në lidhje me menaxhimin e krizës së shkaktuar nga koronavirusi, Braçe nënvizoi se “qeveria nuk ka bërë asnjë gabim në menaxhimin e situatës”. Gjithashtu, ai mbrojti mënyrën se si merren vendimet e qeverisë.

“Nuk e di se çfarë do të thotë që vendimet merren në Facebook. Vendimet merren në mbledhje qeverie, pasi konsultohen me Komitetin Teknik, publikohen në Fletoren Zyrtare, kalohen në parlament aktet normative, kështu që është kot të merremi me fjalët e atyre që thonë se vendimet merren në Facebook”, deklaroi Braçe.

Kur iu vu në dukje se kryeministri Edi Rama ka thënë nga banesa e tij se kush duhet të dalë dhe kush duhet të qëndrojë në shtëpi në një ditë të caktuar, Braçe tha: “Në një republikë si e jona, kryeministri është ai që merr vëmendjen. Por, ministrja e Shëndetësisë është ajo që ka firmosur urdhrin dhe ka dalë me kostum në konferencë për shtyp”.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi