
Kryeministri Edi Rama i ka quajtur “rublaxhinj” pedagogët që kanë kërcënuar me nisjen e grevës së urisë në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre për rritjen e rrogave me 50% brenda dy viteve.
“Shiksi i NonGratës paska marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve! Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëz pa fe e pa atdhe, rublaxhinj pa din e pa iman, foltorexhinj e baltaxhinj që vetëm Shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë!”, shkroi Rama në Facebook, duke shoqëruar fjalët e tij me një fotografi të Vladimir Putinit të gdhendur në një kungull, nga ata që përdoren zakonisht për Halloween.
Sindikata e pedagogeve mbetet e vendosur për të nisur të mërkurën grevën e urisë duke i lënë afat qeverisë deri të mërkurën në orën 16:00 për të ndryshuar qëndrimin e saj. Sipas Sandër Kovaçit, kreut të Sindikatës së Punonjësve Universitarë, rritja e pagave me 8% nga buxheti i vetë universiteteve, nuk është i mjaftueshëm. “Ne kemi njohur vetëm 7% si rritje. Universiteti i Tiranës ka rritur 8% vetëm për këtë periudhë dhe nuk ka asnjë garanci për vitin e ardhshëm. Kurse universitetet e tjera, si Politekniku, edhe ai gjatë kësaj periudhe, këtë tremujorësh, mund ta mbulojë me shumë vështirësi. Përveç mjekësisë, ndoshta ata kanë më shumë buxhet. Universitetet e tjera nuk kanë asnjë lloj mundësie për të arritur 8%-shin. Për shembull, rritja me 8% në Universitetin e Shkodrës do të kushtonte 200 milionë lekë, ndërsa të ardhurat ishin vetëm 100 milionë”, tha Kovaçi.
Sipas tij, duhen marrë garanci që rritja me 8% nuk do të mbahet nga tarifat e studentëve dhe që nuk do të sjellë ulje të investimeve në universitete. “Rroga është çështje fikse. Ne nuk jemi dakord as me 15%. Aq më tepër që nuk janë përfshirë stafi ndihmës, që për ne është jetik. Nëse nuk kemi përgjigje pozitive nga qeveria, kemi gatishmërinë e një pjese të stafit të cilët janë gati. Do të jetë unike në botë besoj që në grevë urie të futen personel akademik”. (A2 Televizion)