Brukseli po shton trysninë ndaj Serbisë, pas kërkesës zyrtare për ta futur Marrëveshjen e Ohrit, në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
“Tani po përpiqeni t’i impononi Serbisë një detyrim përmes Bashkimit Evropian dhe Kapitullit 35, që nëse dëshiron të bëhet anëtare, duhet të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, përfshirë edhe pjesën me të cilën nuk u pajtua…”, tha Daçiç për TV Pink.
Shefi i diplomacisë së Beogradit kujtoi se Serbia nuk e ka nënshkruar ujdinë. “Presidenti Vuçiç u shkëput nga disa formulime që sugjerojnë një lloj njohje të Kosovës dhe se jemi dakord që ajo të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ishin fjalët e Daçiç.
Më 3 shkurt, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian i dorëzoi Këshillit të BE-së propozimin për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve me Serbinë duke përfshirë formalisht detyrimet që burojnë nga marrëveshja për normalizim në procesin e negociatave. (A2 Televizion)