Kryeministër shqiptar në RMV, kush është Talat Xhaferi?

Nga A2 CNN
28 Janar 2024, 13:22 | Ballkani

Kryeministër shqiptar në RMV, kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi lindi më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

Studimet e larta i përfundoi në akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si drejtues i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Më pas, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi u rizgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos