Kurti akuzon Serbinë për targat: Manovër për të zbutur ndërkombëtarët, do vërtetojmë zbatimin

Nga Rosalba Bejdo
27 Dhjetor 2023, 16:27 | Aktualitet

Vendimin e qeverisë serbe për njohjen e targave të Republikës së Kosovës, RKS, kryeministri Albin Kurti e quajti manovër të radhës për hir të pushtetit në Beograd.

Në mbledhjen e qeverisë ditën e mërkurë, shefi i ekzekutivit e kritikoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve për një periudhë më shumë se 10-vjeçare, dhe tha se po e përdor çështjen e targave për të zbutur trysninë ndërkombëtare ndaj vendit, dhe për të maskuar dështimin e vet në Banjskë më 24 shtator.

Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar mes dy shteteve, dua të theksoj se ky vendim po vjen pas një moszbatimi për më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake, përdorimi dyvjeçar të çështjes së targave nga ana e Serbisë për të cenuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë dhe tash së fundi, si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje. Pra, targat në Kosovë…po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi demokratik mbi Serbinë, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator... Është një manovër e radhës e shtetit serb, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hirtë pushtetit në Beograd”.

Kryeministri Kurti e bëri të qartë se Kosova do të vërtetojë nëse Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin për pranimin e targave RKS, para se të marrë një hap të barasvlefshëm në kuadër të marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore.

"Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për targat ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit. Ne do të vazhdojmë të jemi parimorë dhe konstruktivë. Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve shtetërore reciproke do ta marrim sapo që Policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Shefi i zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç e njoftoi vendimin për targat dy ditë më herët, duke theksuar se lëvizja synonte lehtësimin e qytetarëve në veri dhe nuk nënkuptonte asesi njohjen e pavarësisë. BE e mirëpriti vendimin duke e cilësuar hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos