Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç gjatë samitit të Davosit.
Lajçak tha se me Vuçiçin kanë folur rreth marrëveshjes së Ohrit, për të cilën vlerëson se ka hap rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiq fola për gjendjen në dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtutjeshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, është shprehur ai në rrjetin social X.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçië ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës me Lajçakun ka diskutuar për të ardhmen e dialogut.
“Falënderova Përfaqësuesin Special të BE-së për bashkëpunimin e mëparshëm dhe i urova fat në karrierën e tij të ardhshme. Në të njëjtën kohë, përsërita thirrjen time për BE-në dhe shtetet anëtare për të forcuar angazhimin dhe ndikimin e tyre në Kosovë, dhe për t’i siguruar popullit serb në Kosovë të drejtën për jetë të lirë, drejtësi dhe zë”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin social Facebook. (A2 Televizion)