Moska vazhdon që të heqë paralele nga konflikti i Rusisë me Ukrainën me rastin e Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori i Putinit në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko, përmes një editoriali në gazetën serbe Politika, përsëriti retorikën e zakonshme të fajësimit të perëndimit për atë që ndodhi në Ukrainë.
Diplomati shton më tej se Serbia, njësoj si Rusia me marrëveshjet e Minskut, po mashtrohet nga Perëndimi, që sipas tij, ndihmon Kosovën të bllokojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bocan-Kharchenko vazhdon me krahasimet, teksa thotë se synimi i Perëndimit në Ukrainë, ka qenë shkaktimi i një disfate strategjike Rusisë, dhe se e njëjta strategji po përdoret edhe kundër Serbisë, që po kërcënohet me sanksione nëse nuk pranon njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës.
“Rreziku i projekteve të tilla po kuptohet padyshim në Serbi, të cilin perëndimorët po presin ta dobësojnë me metodat e provuara në fund të shekullit të kaluar, duke mundësuar dhunën e radikalëve të Prishtinës kundër serbëve në komunat veriore të krahinës dhe në enklavat në jug të Ibrit.”
Ai thekson më tej se operacioni special ushtarak rus është krijuar për t’i dhënë fund planeve të perëndimit, ndërsa sinjalizoi se një ndryshim i madh në botë po vjen.
“Bilanci global i fuqisë po ndryshon; para syve tanë po krijohet një rend ndërkombëtar më i drejtë, policentrik i bazuar në diversitetin kulturor dhe qytetërues. Ne jemi të bindur se kjo është rruga drejt mirëqenies dhe prosperitetit të të gjitha vendeve dhe popujve të botës.”
Prej kohësh, Rusia, përmes vetë presidentit Vladimir Putin, kanë bërë thirrje për ndërtimin e një rendi të ri botëror bashkë me Kinën. (A2 Televizion)