Republika Sërpska miraton një raport që mohon gjenocidin në Srebrenicë

Nga A2 CNN
18 Prill 2024, 21:19 | Ballkani

Republika Sërpska miraton një raport që mohon gjenocidin në

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë ka miratuar sot një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid. Kjo raportohet nga Radio Evropa e Lirë.

Presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duhet të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos