Drejt largimit, Lajçajk emërohet ambasador i BE-së në Zvicër

Nga A2 CNN
16 Prill 2024, 17:06 | Ballkani

Drejt largimit, Lajçajk emërohet ambasador i BE-së në

Miroslav Lajçajk është emëruar në postin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Zvicër. Emisarit i përfundon këtë vit mandati si Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Në vend të tij, si Përfaqësues Special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, është mbështetur formalisht nga qeveria e vendit të tij, Borut Pahor, ish-president i Sllovenisë.

Përfaqësuesi i Lartë i Unionit, Josep Borrell ka emëruar sot 44 shefa të rinj të delegacioneve të BE-së, duke përfshirë ambasadorët e rinj të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasadorët do t’i marrin detyrat në fund të këtij viti.

Emërimet për rotacionin e ardhshëm diplomatik në delegacionet e BE-së në mbarë botën u publikuan sot nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian. Shumica e ambasadorëve të rinj në Ballkanin Perëndimor kanë përvojë me rajonin.

Ndërkohë, Luigi Soreca, i cili ka shërbyer si ambasador i BE-së në Shqipëri, është emëruar si ambasador i BE-së në Bosnje-Hercegovinë.

Ambasadori aktual i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë Johann Sattler do të bëhet ambasadori i ri i BE-së në Mal të Zi, duke marrë detyrën nga Oana Cristina Popa.

Aivo Orav është emëruar si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, duke marrë detyrën nga Tomáš Szunyog. Më herët, ai ka shërbyer si ambasador i BE-së në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Michalis Rokas është emëruar nga Josep Borrell si ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut, duke zëvendësuar David Geer.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi