Maqedonia e Veriut po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ende nuk ka një datë, por në Shkup po flitet shumë për një dorëheqje të kryeministrit Dimitar Kovaçevski deri më 26 janar, për t’i lënë hapësirë formimit të një kabineti teknik me një kryeministër shqiptar, për herë të parë në histori.
Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, duke u bazuar në raportimet e mediave, tha se po flitet shumë për 8 majin. Nëse kjo konfirmohet dhe zyrtarisht, kryeparlamentari thotë se Kovaçevski duhet të dorëhiqet 70 ditë përpara, pra në janar. Megjithatë VMRO-DPMNE në opozitë ka refuzuar formimin e një qeverie teknike me një kryeministër shqiptar. Kësaj force politike i është përgjigjur zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nga radhët e BDI, njoftoi se historia do të shkruhet.
“Kryeminister shqiptar do të ketë, duhet të thyhet tabuja dhe të dëshmojmë që jemi një shoqëri për të gjithë, që të gjithë jemi pjesë e një vendi demokratik. E dimë kush do të jetë kryeministri i parë, mirëpo atë do ta njoftoi kryetari, Ali Ahmeti”, Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë i RMV.
Sakaq, përgatitjet parazgjedhore vazhdojnë. Disa parti shqiptare të opozitës në Maqedoni të Veriut do të firmosin bashkimin në koalicionin “Lidhja Europiane për Ndryshim”. Kurse VMRO-DPMNE po shkon drejt bashkëpunimit me të majtët, gjë e cila nxiti këtë reagim të LSDM-s në pushtet.
“E majta është një parti pro-ruse, anti-NATO dhe anti-BE që adhuron diktatorë si Enver Hoxha. E djathta radikale, e dashuruar me regjimin ashtu si DPMNE. Këto janë vlerat antievropiane të koalicionit DPMNE dhe të Majtë, të Mickoskit dhe Apasiev”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni të Veriut mund të shpallen për shkak të dështimit të ndryshimeve kushtetuese që mbajnë peng nisjen e negociatave të anëtarësimit të këtij shteti për në BE. (A2 Televizion)