Shkupi lehtëson masat për Rusinë, heq ndalimin e fluturimit për Lavrovin

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2023, 17:32 | Ballkani

Shkupi lehtëson masat për Rusinë, heq ndalimin e fluturimit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të lehtësojë sanksionet kundër Federatës Ruse, duke hequr masën kufizuese për fluturimin e avionëve rus në hapësirën e saj, për t’i mundësuar në këtë mënyrë pjesëmarrjen në konferencën vjetore të OSBE-së në Shkup ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov.

Ministria e Jashtme nxori një komunikatë përmes së cilës informon se bëhet fjalë për një “plotësim” të vendimit të mëparshëm që pasoi vendimin e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë, pas agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.

"Qeveria maqedonase me anë të këtij ‘plotësim – vendimi’, i autorizon ministritë përkatëse që të vendosin vetë për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus për shkak takimit ministror të OSBE-së në Shkup, nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023”, thuhet në njoftim.

Sipas Zërit të Amerikës, autoritetet e Maqedonisë së Veriut theksojnë se plotësimi i vendimit është në përputhje me rregulloren e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani , i cili është kryesues i radhës me OSBE-në tha para disa ditësh se është në kontakt me kabinetin e Lavrov dhe se ai ka shprehur interesimin të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos