Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Shkupi tha se nuk sheh ndonjë kërcënim ushtarak që vjen nga Rusia ndaj një vendi anëtar të NATO-s apo ndaj rajonit. Këto deklarata i bëri pas takimit që zhvilloi me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kur u pyet për deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon të nxisë konflikt në rajon, ai tha se NATO nuk do ta lejojë kurrsesi që një gjë e tillë të ndodh, por do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë.
“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, tha Stoltenberg.
Nga ana tjetër, ai u shpreh se Kosova dhe Serbia do duhet të vazhdojnë dialogun, pasi është e vetmja mënyrë për të shkuar drejt një zgjidhjeje.
“Në Kosovë kohë më parë pamë incidente me dhunë serioze që përfshinte edhe sulme të papranueshme ndaj trupave paqësore të KFOR-it dhe ata që e bënë këtë duhet të përgjigjen. Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë me dialogun që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, pasi është mënyra e vetme drejt zgjidhjes e cila do të respektonte të drejtat e të gjitha bashkësive etnike”, tha shefi i aleancës ushtarake perëndimore. (A2 Televizion)