Serbia i ka dërguar një notë proteste ambasadës së Shqipërisë në Beograd, siç thuhet “për të dënuar ashpër aktin e djegies së flamurit serb në Tiranë”.
Duke u bazuar në imazhet e publikuara online në portalet shqiptare, Ministria e Jashtme e drejtuar nga Ivica Daçiç, njofton se “ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”.
Në deklaratë thuhet se Serbia pret që autoritetet e Shqipërisë të bëjnë gjithçka për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të djegies së flamurit serb.
Ministria e Jashtme njofton se pret nga Shqipëria, brenda një afati të arsyeshëm, që ta informojë përmes mjeteve diplomatike për kërkesën e shtruar.
Megjithatë, vetë shteti serb nuk ka dënuar asnjëherë asnjë shtetas të saj që është përfshirë në djegien apo keqpërdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, përfshirë dhe flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare.
Rasti më i fundit ishte vitin e kaluar. Tashmë dihet që shqiptarët në Serbi nuk mund ta ekspozojnë lirshëm flamurin kombëtar, ndërsa shpeshherë gjobiten për këtë në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq dhunohen.
Vlen të përmendet fakti që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë gjobitur shpesh për valvitjen e flamurit shqiptar. (A2 Televizion)