Serbia në zi, 14 viktima në tragjedinë hekurudhore, Vuçiç: Përgjegjësi politike e penale

Nga Rosalba Bejdo
2 Nëntor 2024, 14:32 | Ballkani

Serbia nisi hetimet për tragjedinë që tronditi vendin pasditen e së premtes, kur të paktën 14 persona mbetën të vrarë dhe 3 të tjerë u plagosën, pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Të paktën 2 fëmijë ishin mes viktimave të aksidentit të ndodhur në atë që kryeministri Millosh Vuçeviç e cilësoi të premte të zezë.

“Kjo është një tragjedi. E premte e zezë për Serbinë dhe Novi Sadin…Pavarësisht faktit se godina ishte ndërtuar në 1964, pra 60 vite më parë, ne do të këmbëngulim që përgjegjësit për këtë tragjedi të identifikohen”, tha ai.

Ekipet e shpëtimit punuan përgjatë gjithë natës, duke përdour makineri të rënda ndërtimi, për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit nga rrënojat.

Stacioni në qytetin që gjendet 70 km në veriperëndim të Beogradit ju nënshtrua punimeve rinovuese në vitet 2021 dhe 2022. Punime të tjera u zhvilluan edhe gjatë muajit korrik të këtij viti, kur Ministria e Transportit tha se ishin investuar 16 milionë euro.

Ministri i Transportit Goran Vesiç deklaroi të shtunën se hetimet e nisura nga prokurorët në Novi Sad do të përfshinin Institutin Shtetëror të Trafikut, kompaninë e hekurudhave dhe konsorciumin kinez që kishin zhvilluar punimet restauruese. Të tre këto organizma thanë se pjesa e godinës që ishte shembur nuk i ishte nënshtruar punimeve.

Ministri i brendshëm Ivica Daçiç njoftoi se 20 persona do të merreshin në pyetje nga autoritet, përfshirë punonjës të Ministrisë dhe operatorit hekurudhor. 

Presidenti Aleksandër Vuçiç kërkoi përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë. Opozita ka akuzuar autoritetet për korrupsion dhe ka kërkuar mbajtjen e protestave.

E shtuna, u shpall ditë zije kombëtare me qytetarët që vendosën lule e ndezën qirinj në homazh të viktimave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos