“Serbia të mos ndjekë narrativë ruse”, BE nuk heq masat ndaj Kosovës, Stano: Duhen ende hapa

Nga Xhevahir Qardaku
8 Janar 2024, 16:11 | Ballkani

Bashkimi Europian përshëndet zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi Peter Stano vlerësoi pozitivisht njohjen e targave dhe lejimin e qarkullimit të automjeteve pa mbulimin e simboleve në të dyja shtetet.

Zyrtari njeh dhe lëvizjet e autoriteteve në Kosovë për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore dhe se situata atje është aktualisht më e qetë, por sipas tij, nuk është bërë sa duhet që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.

Sa i përket masave, sigurisht, ne monitorojmë situatën çdo ditë nga afër. Kemi njerëz në terren dhe jemi të përkushtuar në përpjekjet dhe vëmendjen tonë për të marrë vesh se çfarë po ndodh. Po punojmë me partnerët tanë, për t’i ndihmuar ata në marrjen e hapave të nevojshme për të ulur tensionet dhe për të luftuar problemet që sollën krizën e fundit. Kur të bëhen hapa pozitivë mjaftueshëm, atëherë BE do të rikonsiderojë masat e vendosura kundër Kosovës dhe heqjen e tyre.

Gjatë konferencës për shtyp, Stano përsëriti se marrëveshja për normalizim dhe aneksi i zbatimit, të pranuara nga Kosova dhe Serbia, janë ligjërisht të detyrueshme, edhe pse nuk janë firmosur. Gjithashtu pohoi se BE nuk do të marrë në konsideratë një letër të kryeministres Ana Bërnabiç që refuzon disa pika të ujdisë së normalizimit, ndërsa një koment pati edhe për akuzat e presidentit Vuçiç ndaj perëndimit, se po organizon protestat për rrëzimin e qeverisë.

Sa u përket narrativave të tilla, sigurisht, është marrëzi e plotë të thuhet se Bashkimi Europian po përpiqet të ndërhyjë apo të nxisë ndonjë lloj proteste anti qeveritare. Këto janë narrative të Rusisë, të cilat duhet të luftohen. Këtë gjë ua kemi theksuar kolegëve tanë serbë në shumë raste. Kjo është koha kur duhet menduar, folur dhe vepruar në mënyrë europiane.”

Zëdhënësi i BE-së adresoi dhe pyetjen se si marrëveshja e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë bëhet e detyrueshme, duke thënë se është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin në Union.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi