Vuçiç do të publikojë dokumentet e rindërtimit të stacionit në Novi Sad

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2024, 07:37 | Ballkani

Vuçiç do të publikojë dokumentet e rindërtimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se do t’i publikojë të gjitha dokumentet lidhur me rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, pas aksidentit vdekjeprurës në nëntor.

Derisa Vuçiç mbajti një fjalim në lidhje edhe me këtë çështje të mërkurën mbrëma në zyrën e tij në Beograd, disa qindra studentë dhe qytetarët u mblodhën para ndërtesës së Presidencës serbe duke brohoritur kundër tij.

Presidenti serb tha se do t'i publikojë 195 dokumente në lidhje me punën ndërtimore në stacionin ku shembja e një strehe la të vdekur 15 njerez më 1 nëntor.

Në lidhje me kërkesat e studentëve protestues, të cilët kanë bllokuar punën e disa fakulteteve shtetërore, Vuçiç tha se të gjithë studentët e ndaluar janë “liruar”.

“Nëse dënohen për trazira, do të marr vendim për t'i falur”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se i ka kërkuar kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, që në rend dite të vendoset seanca për ndërrimin e Qeverisë në Kuvend.

Vuçiç theksoi gjithashtu se një monument për viktimat do të ngrihet në vendin e aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Duke folur për protestën para ndërtesës së Presidencës, Vuçiç tha se jashtë po mbahen “demonstrata politike”, të cilat po ndodhin pavarësisht se ai po u jep atyre “lajme të mira”.

Ai po ashtu tha se pret që studentët të kthehen në mësime pasi, sipas tij, kërkesat e tyre janë plotësuar.

Vuçiç pretendoi se në katër vjetët e fundit janë investuar 426 milionë euro në “grupet e presionit”, të cilët, sipas tij, duan të “ndryshojnë Serbinë dhe të rrëzojnë qeverinë”.

Disa qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën para ndërtesës së Presidencës serbe në Beograd më 11 dhjetor, gjatë fjalimit të paralajmëruar të Vuçiç në atë ndërtesë.

Aktivistët e organizatës informale studentore "Borba" njoftuan për këtë tubim në rrjetin social Instagram, me mesazhin: "Presidenti flet në lidhje me bllokadat studentore, ejani para Presidencës që zëri ynë të dëgjohet".

Dhjetëra fakultete shtetërore në Serbi janë bllokuar pas sulmeve ndaj studentëve gjatë protestave në lidhje me aksidentin vdekjeprurës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët që kanë bllokuar katër universitete shtetërore atë të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit kërkojnë, ndër të tjera, publikimin e dokumentacionit të fshehtë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

Ata gjithashtu kërkojnë hedhjen poshtë të akuzave kundër studentëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave që pasuan aksidentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos