Vuçiç takon Lajçak në Beograd, kërkon anulimin e vendimit të Bankës së Kosovës për dinarin

Nga A2 CNN
29 Janar 2024, 15:27 | Ballkani

Vuçiç takon Lajçak në Beograd, kërkon anulimin e

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd. Vuçiç tha se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiç në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha më herët se Vuçiçi ka kërkuar që Prishtina të mos i zbatojë vendimet e reja “përshkallëzuese”, ndër të cilat, siç tha ai, është vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që të përdorë vetëm euro për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

“Aleksandar Vuçiç ka nënvizuar qartë dhe mjaft mirë se cilat janë problemet në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviç.

Sipas mediave serbe, Lajçak nesër do të jetë në Prishtinë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.

Lajçaku po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë, pasi Brukseli kërkoi nga autoritetet në Kosovë të hënën që të shtyjnë zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos