“Shqiptarët, zot në tokën e tyre në Maqedoninë e Veriut”

Nga Xhevahir Qardaku
28 Janar 2024, 16:40 | Ballkani

“Shqiptarët, zot në tokën e tyre në Maqedoninë e

Kështu u rrëzua muri i fortë etnik në Maqedoni të Veriut. Për herë të parë në histori, qeverinë në Shkup po e drejton një shqiptar. Bëhet fjalë për Talat Xhaferin, i cili mori besimin e parlamentit si kryeministër teknik me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancën, që nisi me vonesë, u regjistruan 108 deputetë dhe pikë e vetme e rendit të ditë ishte ajo e votimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, në fjalimin e tij të parë si kryeministër vendosi që së pari të flasë në gjuhën shqipe. Kurse para deputetëve njoftoi se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, por edhe zbatimi i programit qeveritar do të jenë prioritetet kryesore të tij.

“Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time”, tha Xhaferi.

VMRO-DPMNE në opozitë kundërshtoi kandidaturën e Xhaferit, pavarësisht se mori dy poste ministrore. Antoni Milloshoskit, lëshoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë së re teknike, duke nënvizuar për shkak të tradhtisë së LSDM-së, Republika e Maqedonisë së veriut sot është me qira në shtetin e saj. Atij iu përgjigj vetë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke thënë se marrëveshja e Ohrit, e ndryshoi karakterin e shtetit, dhe bëri që shqiptarë të jenë zot në shtëpinë e vet. Por vëmendjen e kaloi në një shqetësim tjetër edhe më të madh.

“Lufta e ftoftë ka mbaruar por tani kemi një luftë ku flitet për përdorim të armë nukleare, nuk është diçka që duhet të nënçmohet. Moska ka shkel identitetin dhe integritetin e shtetit që quhet Ukrainë. Për këtë shkak ne duhet të jemi të vëmendshëm çfarë politika do të udhëheqim. A do të jemi në instalimin ideve të tilla, ku koka do të na jetë në Moskë, e stomaku në Evropë. Këto dy gjëra nuk shkojnë. Koka dhe stomaku duhet t’i kemi drejt Evropës. Pa dallim duhet të themi Jo Moskës dhe Po Evropës”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Gjithashtu edhe opozita shqiptare nga Lidhja Europian për Ndryshim nuk e votoi Talat Xhaferin si kryeministër teknik. Deputetët e tyre nuk morën pjesë në seancë. Talat Xhaferi gjatë fjalimit të tij prezantoi dhe përbërjen e qeverisë, ku bie në sy numri rekord i ministrive që do të drejtohen nga shqiptarët: janë plot 9 ministri të tilla nga ajo e jashtme, te e shëndetësisë e deri tek ajo e financave. Kryeministri shqiptar do të jetë në detyrë në Maqedoni të Veriut për 100 ditë, ndërsa më 8 maj do të votohet për përbërjen e re të parlamentit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos