
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter ka goditur brigjet e shtetit jugor të Chiapas në Meksikë, duke shkaktuar alarm dhe paralajmërime për cunami në rajon.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ndodhej pranë qytetit bregdetar Puerto Madero, ndërsa lëkundja u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Thellësia e vogël e tërmetit ka bërë që lëkundjet të ndihen fuqishëm në zonat përreth.
Menjëherë pas tërmetit, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami i SHBA-së lëshoi një njoftim për rrezik potencial cunami përgjatë brigjeve të rajonit, ndërsa autoritetet monitorojnë situatën për valë të mundshme detare.
Lëkundjet u ndjenë edhe përtej kufijve të Meksikës. Dëshmitarë të cituar nga “Reuters” raportuan se tërmeti u ndje në disa zona të Guatemalës dhe El Salvadorit, duke shkaktuar shqetësim te banorët. (A2 Televizion)