Epokë e re lufte, Ukraina raporton sulmin e parë në botë me dron amfib

Nga Erjon Dervishi
17 Korrik 2026, 18:22 | Bota

Ukraina pretendon se ka përdorur për herë të parë një dron tokësor të armatosur, të transportuar nga një mjet lundrues pa pilot, në një bregdet të pushtuar nga Rusia, duke kryer një mision luftarak.

Operacioni u zhvillua më 13 korrik në Gadishullin Kinburn, në jug të Ukrainës, siç njoftoi Brigada e 123-të e Mbrojtjes Territoriale përmes kanaleve të saj në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për operacionin e parë luftarak të njohur të këtij lloji në botë.

Sipas raportimeve, një mjet lundrues pa pilot transportoi në breg një dron tokësor të kontrolluar nga distanca, të pajisur me një mitraloz të rëndë. Pasi zbarkoi, droni doli në breg dhe hapi zjarr.

Një video e publikuar nga brigada tregon mjetin lundrues duke ulur një rampë, duke vendosur dronin tokësor në breg dhe më pas pajisjen duke qëlluar drejt një objektivi. Brigada nuk dha asnjë informacion mbi objektivat e goditura apo viktimat e mundshme, shkruan A2CNN. 

Sipas brigadës, ky ishte "një koncept i ri i luftës, ku detyrat më të rrezikshme kryhen nga makineritë". Në operacion, sipas saj, ishte e përfshirë edhe inteligjenca ushtarake ukrainase.

Gazeta Kyiv Independent, e cila raportoi e para për operacionin, e titulloi artikullin e saj: "Një epokë e re e luftës fillon". Ndërsa revista amerikane Forbes e cilësoi atë si zbarkimin e parë amfib të asistuar nga robotët.

Operacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Informacioni bazohet në deklaratat e forcave të armatosura ukrainase dhe në pamjet video të publikuara prej tyre.

Gadishulli Kinburn është një rrip i ngushtë toke midis grykëderdhjes së lumit Dnieper dhe Detit të Zi. Trupat ruse e pushtuan zonën në vitin 2022. Që nga fillimi i qershorit, kanë qarkulluar raportime për një tërheqje të mundshme të pjesshme të forcave ruse. Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) ka cituar informacione të pakonfirmuara nga një grup partizan ukrainas, por ushtria ukrainase nuk i ka konfirmuar këto pretendime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos