
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Ugandën, ku 20 nxënës dhe një i rritur kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonin u përmbys gjatë kthimit nga një ekskursion shkollor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Kapchorwa, pranë fshatit Chekwatit, në lindje të vendit. Autobusi i përkiste Shkollës së Vogël King David dhe po kthehej drejt kryeqytetit Kampala pas një vizite edukative në ujëvarat Sipi Falls.
Sipas policisë së Ugandës, hetimet paraprake tregojnë se drejtuesi i autobusit humbi kontrollin e mjetit, i cili doli nga rruga dhe u përmbys pasi u përplas me një gur të madh.
Përveç viktimave, disa nxënës dhe të rritur mbetën të plagosur. Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Barugahara Ateenyi, bëri të ditur se mbi 28 fëmijë po marrin trajtim në spitale, ndërsa nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Banorët e zonës mbërritën të parët në vendngjarje dhe ndihmuan në nxjerrjen e të plagosurve dhe viktimave nga autobusi i dëmtuar, përpara mbërritjes së ekipeve zyrtare të shpëtimit.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetet dhe moshat e nxënësve që humbën jetën. Viktima i rritur dyshohet se ishte themeluesi dhe drejtori i shkollës.
Pas aksidentit tragjik, qeveria e Ugandës vendosi të pezullojë të gjitha udhëtimet shkollore dhe ekskursionet deri në një njoftim të dytë, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë. (A2 Televizion)