19 mijë jetimë nga lufta në Gaza, plani i paqes në duart e Hamas

Nga Rosalba Bejdo
31 Janar 2024, 16:36 | Bota

19 mijë jetimë nga lufta në Gaza, plani i paqes në duart e

19 mijë fëmijë kanë mbetur jetimë ose pa asnjë të rritur që të kujdeset për ta në rripin e Gazës, që prej nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.

Të dhënat dramatike u bënë të ditura nga një përfaqësues i UNICEF-it në Palestinë, për median britanike BBC. Siç thuhet, shumë prej këtyre fëmijëve janë gjetur nën rrënoja ose i kanë humbur prindërit pas bombardimit të shtëpive së tyre.

Të tjerë janë zbuluar në postblloqe izraelite, në spitale e nëpër rrugë. Sipas të dhënave, mbi 11 e 500 fëmije kanë humbur jetë në më pak se 4 muaj luftë. Alarmi i UNICEF, vjen teksa agjencitë ndërkombëtare të ndihmave shprehën shqetësim të thellë dhe zemërim me atë që e quajtën vendim të papërgjegjshëm të donatorëve të mëdhenj nëpër botë për të ndërprerë financimet për agjencinë e ndihmave për refugjatët palestinezë, pasi Izraeli akuzoi disa prej pjesëtarëve të stafit për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit.

“Është shumë e rëndësishme që ne të pranojmë rolin që kjo agjenci luan në rripin e Gazës, e në shpërndarjen e ndihmave atje. Askush nuk mund ta zëvendësojë për rolin humanitar në enklave”, tha Sigrid Kaag, koordinator i OKB për Gazën.

Më shumë se 10 vende, përfshirë SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë deklaruan se do të pezullonin fondet për agjencinë palestineze që siguron ndihma për më shumë se 5,6 milionë refugjatë rreth Lindjes së Mesme.

Sakaq, forcat izraelite kanë vijuar sulmet në zonat veriore dhe jugore të Gazës, teksa Hamasi deklaroi së kishte siguruar dhe po studionte një propozim të ri për paqen dhe lirimin e pengjeve izraelite. Propozimi që ju prezantua grupit militant palestinez është iniciativa më serioze e paqes në shumë muaj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos