Një dron detar është zbuluar mëngjesin e sotëm në portin e Konstancës, në bregdetin rumun të Detit të Zi, duke shkaktuar alarm te autoritetet. Zona u evakuua menjëherë dhe pak minuta më vonë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, por Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se nuk ka persona të lënduar. Pas shpërthimit, Bukureshti “aktivizoi planin e kuq të ndërhyrjes”.
Sipas informacioneve paraprake, droni nuk i përkiste ushtrisë rumune dhe dyshohet se ishte i ngjashëm me mjetet e përdorura në luftën në Ukrainë.
Mediat rumune raportojnë se droni mund të jetë vetëshkatërruar pasi u lokalizua pranë një moli në port.
Incidenti ndodh në një klimë tensionesh të shtuara mes Bukureshtit dhe Moskës, pas rrëzimit të një droni rus në territorin rumun pak ditë më parë. (A2 Televizion)