
Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim 1 tjetër, pasi akuzohen se i kanë marrë përmes mashtrimit 60 mijë euro një 34-vjeçari.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit N. V., 25 vjeç dhe S. F., 30 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 43 vjeç.
Policia tha nga hetimet dyshohet se 34-vjeçari, pasi është mashtruar gjatë komunikimit nëpërmjet një platforme komunikimi, nga një shtetas që i ka kërkuar 60 000 euro, duke iu prezantuar si i afërm i tij, i ka dhënë shumën e parave shtetasit N. V., i cili ka bashkëpunuar me shtetasit S. F. dhe F. Gj., për këtë rast.
“Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj rasteve të mundshme të mashtrimit nëpërmjet aplikacioneve të komunikimit apo rrjeteve sociale. Për çdo rast dyshimi, njoftoni menjëherë Policinë e Shtetit”, tha policia. (A2 Televizion)