Zgjerohet lufta në Lindjen e Mesme, huthit godasin sauditët, ukrainasit sulmojnë anijen e Iranit

Nga Erjon Dervishi
26 Korrik 2026, 13:16 | Bota

Konflikti me Iranin u zgjerua gjatë fundjavës, pavarësisht një pauze në sulmet amerikane; rebelët Houthi të Jemenit – të cilët mbështeten nga Irani – sulmuan objektet saudite të naftës përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, ndërsa Irani akuzoi Ukrainën se kishte shënjestruar një nga anijet e tij në Detin Kaspik.

Ushtria amerikane deklaroi se bllokada detare kundër Iranit "mbetet plotësisht në fuqi", por nuk shpjegoi arsyen e ndërprerjes së një serie sulmesh në përshkallëzim që kishin zgjatur 13 netë. Gjithashtu, gjatë fundjavës nuk pati raportime për sulme të Iranit ndaj vendeve fqinje, të ngjashme me kundërpërgjigjet e tij të përditshme ndaj sulmeve amerikane.

I pyetur për këtë pauzë, një zyrtar i lartë në administratën e Presidentit Donald Trump tha se Trump "ka qenë gjithmonë i qartë se preferon diplomacinë, por i ka treguar Iranit se çfarë do të ndodhë nëse ata nuk ulen në tryezën e bisedimeve në mënyrë serioze".

Pavarësisht qetësisë në Gjirin Persik, luftimet e së shtunës nw mbrwmje midis aleatëve Houthi të Iranit dhe Arabisë Saudite treguan se lufta – e cila tashmë ka ndërprerë furnizimet me energji përmes Ngushticës së Hormuzit – mund të prekë një rrugë të dytë të rëndësishme detare dhe të rindezë luftën civile në Jemen.

Në një zhvillim të veçantë, Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi Ukrainën për sulm ndaj një anijeje tregtare iraniane në Detin Kaspik, duke deklaruar se një marinar mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.

Ministria thirri të ngarkuarin me punë të Ukrainës në Teheran për të protestuar kundër një sulmi që e cilësoi si "armiqësor dhe kriminal", njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Denoncimi iranian përkoi me deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i cili tha se Kievi kishte vënë re se Rusia po ia përcillte Iranit të dhënat e saj satelitore nga Lindja e Mesme, për t'i mundësuar atij drejtimin e sulmeve në rajon.

Zëdhënësi ushtarak i Houthi-ve, Yahya Saree, tha se grupi goditi të shtunën objekte që i përkisnin kompanisë shtetërore saudite të naftës, Aramco, në qytetet Jizan dhe Yanbu (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos