Trembëdhjetë pengje do të lirohen nga Hamasi të premten. Lajmin e bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari.
Ai përsëriti se synimi i Katarit është që kjo marrëveshje të përfundojë me një armëpushim që do të zgjasë. Disa prej pengjeve janë gra të moshuara, disa janë fëmijë dhe do të lirohen rreth orës 16.00 me orën lokale.
Po ashtu, Majid al-Ansari shtoi se ka shumë “pjesë lëvizëse në terren”, dhe kjo do të ndodhë çdo ditë, brenda një dritareje kohe.
Pengjet do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq, dhe synimi është që transferimi të bëhet në mënyrën më të sigurt që të jetë e mundur.
“Duhet të mbajmë parasysh që kjo është një zonë luftë,” shtoi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit.
Për ditën e parë të armëpushimit, pauza do të nisë në 07.00 të mëngjesit me orën lokale ndërsa pengjet do të lirohen në orën 16.00. Sipas marrëveshjes, numri i pengjeve që do të duhet të lirojë Hamasi është 50 në këmbim të 4 ditëve armëpushim. (A2 Televizion)