Klevis Jahaj, deputet i Partisë Socialiste, deklaroi se pas Reformës Territoriale të vitit 2014 bashkitë kanë pasur performancë më të mirë.
“Rezulton që shpenzimet vendore, nga 2015 në 2025, janë rritur me 172%. Pra, shpenzimet për shërbimet që u jepen qytetarëve. Të ardhurat që pushteti vendor, nga 2015 deri në 2025, që ka krijuar vetë, janë rritur me 248%. Detyrimet e prapambetura të cilët janë të akumuluar janë ulur me rreth 76%, pra janë reduktuar nga 12,1 miliardë që kanë qenë, në 2,9 miliardë. Pra, kjo do të thotë që bashkitë, strukturat e reja të njësive të qeverisjes vendore, me reformën e vitit 2014 patjetër që kanë pasur një performancë më të mirë”, tha Jahaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Në të gjitha dëgjesat që patëm me pushtetin lokal, me kryetarët e bashkive, u vu re se shërbimet të cilat jepeshin më përpara, jepen edhe tani. Patjetër që nga raporti dhe nga ekspertët janë evidentuar të gjitha ato pika të cilat duhet të përmirësohen, që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve, me decentralizimin, me autonominë financiare që duhet të kenë njësitë e qeverisjes vendore dhe të gjitha pika të tjera të cilat janë mbledhur jo vetëm nga dëgjesat me kryetarët e bashkive, por edhe me njerëzit, sepse vlen të theksohet që janë kryer në çdo bashki, qendër qarku, dëgjesa të zgjeruara me qytetarë të cilët kanë shprehur dhe interesat e tyre”, shtoi deputeti socialist. (A2 Televizion)