Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkon armëpushim në Gaza

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2023, 09:51 | Bota


Izraeli po përballet me izolim diplomatik në luftën kundër Hamasit, teksa Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi armëpushim të menjëhershme humanitar në Gaza dhe presidenti Joe Biden, i tha aleatit të ngushtë, se bombardimet pa dallim të civilëve po dëmtonin mbështetjen ndërkombëtare.

Pas paralajmërimeve të zymta nga zyrtarët e OKB-së mbi krizën e thellë humanitare në Rripin e Gazës, Asambleja e Përgjithshme me 193 anëtarë miratoi të martën një rezolutë që kërkonte ndalje të luftimeve, me ¾ e shteteve që votuan në favor.

“E shfrytëzova pjesëmarrjen në Forumin e Dohas dhe çdo platformë tjetër që munda për të inkurajuar bashkëpunim mes shteteve me të njëjtin qëllim në mendje: Të mundësojmë paqen për të gjithë, në emër të njerëzimit”, tha presidenti i Asamblesë, Dennis Francis.

Autoriteti Palestinez e mirëpriti rezolutën dhe iu bëri thirrje vendeve t’i bëjnë presion Izraelit që t’i përmbahet asaj.

Një zyrtari i Hamasit në ekzil, Izzat El-Reshiq, i bëri jehonë këtij reagimi në Telegram, duke thënë se Izraeli duhet të ndalë agresionin, gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër popullsisë.

SHBA-ja dhe Izraeli që pretendojnë se nga armëpushimi përfiton vetëm Hamasi, votuan kundër rezolutës bashkë me 8 vende të tjera. 

“Armëpushimi nënkupton një gjë dhe vetëm një gjë. Mundësimin e mbijetesës së Hamasit dhe mbijetesën e terroristëve gjenocidial të përkushtuar për asgjësimin e Izraelit dhe hebrenjve”, u shpreh ambasadori izraelit.

Para votimit, presidenti amerikan Joe Biden theksoi se Tel Avivi ka mbështetjen e të gjithë botës në luftën kundër Hamasit, por se ajo kishte filluar të zbehej për shkak të bombardimeve pa dallim. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli