Pesë punëtorë në një kantier ndërtimi kanë ndërruar jetë në Stokholm, pasi gjendeshin brenda një ashensori që u shkëput nga 20 metra lartësi, duke u përplasur në tokë.
Zyrtarët suedez që mbërritën në vendngjarje, në Sundbyberg, periferia veriore e kryeqytetit, konfirmuan se pesë punëtorët u plagosën rëndë dhe më pas ndërruan jetë.
Shkaku i aksidentit është ende i paqartë dhe punimet në vendngjarje janë ndërprerë.
Prokurori përgjegjës i çështjes, Gunnar Jonasson, tha se ka një hetim paraprak në vazhdim që po kryhet nga Komisioni Kombëtar i Aksidenteve, me dyshimin për "shkelje të rregullave të punës".
Ai shtoi se autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimave dhe do të kontaktojnë me të afërmit e tyre.
Një zëdhënës i kompanisë prodhuese të ashensorit i tha gazetës Aftonbladet të hënën se ai lloj është përdorur në mbarë botën për më shumë se 20 vjet dhe kompania nuk është përfshirë kurrë në një incident të tillë më parë. (A2 Televizion)