Vdes azilkërkuesi në “burgun lundrues” të Britanisë së Madhe

Nga Xhevahir Qardaku
12 Dhjetor 2023, 14:19 | Bota

Një azilkërkues ka vdekur në bordin e një strukture lundruese të përdorur për strehimin e tyre në brigjet jugore të Anglisë. Konfirmimi ka ardhur nga organizata për mbrojtjen e refugjatëve Care4Calais, që nuk bën të ditur identitetin e tij.

Vdekja është raportuar në anijen “Bibby Stockholm”, e ankoruar në Portland, e cila mund të strehojë deri në 500 persona. Plani i qeverisë britanike ka përfshirë edhe vendosjen azilkërkuesve shqiptar në atë strukturë. Shoqata tha përmes një deklarata se qeveria e Rishi Sunak duhet të mbajë përgjegjësi për këtë “tragjedi njerëzore”. 

“Mendimet tona shkojnë për personin që humbi jetën, për familjen dhe miqtë e tij. Ata po ndahen nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe ne kemi dëshmuar një përkeqësim serioz të shëndetit mendor të njerëzve”, thotë Shoqata “Care4Calais”.

Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe konfirmoi se ishte në dijeni të raportimeve për një incident të ndodhur në strukturën e strehimit të azilkërkuesve, por nuk pranoi të komentonte më tej. Kryeministri Sunak e ka shndërruar luftimin e emigracionit të paligjshëm në një prej prioriteteve kryesore të tij.

Për këtë arsye, qeveria e Londrës po përpiqet që të ulë kostot e akomodimit të azilkërkuesve në hotele duke përdorur struktura lundruese dhe ish-zona ushtarake. Por politikat e Sunak, përfshirë planin për dëbimin e azilantëve për në Ruanda, janë konsideruar kontroverse, ndërsa grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e konsiderojnë strukturën “një burg lundrues” dhe përdorimin e saj, një metodë çnjerëzore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos