Banorët në Gaza po vdesin urie, Izraeli mund të ketë përdorur bomba me fosfor

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2023, 10:31 | Bota



Kriza e urisë është përkeqësuar në Rripin e Gazës, paralajmërojnë agjencitë e ndihmave, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përgatitet të votojë të martën një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

Qindra civilë të tjerë kanë mbetur të vrarë si pasojë e sulmeve të Tel Avivit që prej së premtes, kur Këshilli i Sigurimit vuri veton ndaj një rezolutë që kërkonte ndaljen e luftimeve.

Shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe banorët thonë se është e pamundur të gjesh strehë apo ushqim në enklavën me popullsi të dendur. Sipas Programit Botëror Ushqimor të OKB-së, gjysma e popullsisë po vdes urie.

Banorët përshkruan skena kaotike plaçkitjesh të kamionëve me ndihma dhe çmime të papërballueshme. Fokusi kryesor i bombardimeve izraelite vijon të mbetet qyteti i Khan Junis në jug, ku Izraeli beson se po fshihen militantët.

SHBA-ja po i bën presion qeverisë izraelite t’i japë përparësi mbrojtjes së jetëve civile, siç bëri të ditur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Sakaq, OKB-ja, por edhe Uashingtoni shprehen shqetësim mbi raportimet se Izraeli kishte përdorur municione me fosfor, gjatë një sulmi në Libanin jugor.

Ishte Uashington Post që raportoi të hënën se Tel Avivi i ka përdorur municionet e ndaluara në një sulm gjatë tetorit dhe Dheira të Libanit. Organizata për të Drejtat e Njeriut, “Amnisty International” ka kërkuar hetime, duke e cilësuar incidentin një krim lufte. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos