Qeveria amerikane po përpiqet t’i japë një dorë Izraelit në ofensivën e tyre ushtarake në Gaza, pasi po shtyn përpara procesin e shitjes së afro 14,000 predhave antitank te aleati i tyre në Lindjen e Mesme.
Departamenti i Shtetit i ka kërkuar Kongresit miratim “urgjent” për t’i shitur Izraelit arsenalin e përbërë nga 13.981 predha 120 mm, të cilat Tel Avivi do t’i përdorë për të pajisur tanket Merkava të përfshirë në ofensivën kundër Hamasit.
“Sekretari i Shtetit, Antony Blinken përcaktoi dhe i shpjegoi në detaje Kongresit se ekziston një urgjencë për t’i shitur menjëherë këto pajisje qeverisë izraelite, pa rishikimin parlamentar të kërkuar nga legjislacioni për kontrollin e eksportit të armëve”, bëri me dije Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në anën tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të vazhdojnë luftën drejt shkatërrimit të Hamasit, ndërsa SHBA-të duket se nuk i kanë përcaktuar një afat kohor për ta përfunduar ofensivën.
Këtë detaj e ka bërë të ditur Këshilltari i sigurisë kombëtare, Tzachi Hanegbi.
"Ata e kuptojnë se nuk janë në gjendje t'i tregojnë IDF-së se sa kohë i duhet për të arritur qëllimet. Gjëja e mirë është se ata ndajnë të njëjtat qëllime me ne. Është e saktë të supozohet se ne nuk mund ta masim këtë me javë dhe nuk jam i sigurt nëse mund të matet me muaj”, tha ai në një deklaratë për Channel 12 të Izraelit.
CNN ka raportuar më parë se zyrtarët amerikanë presin që operacioni i Izraelit që synon skajin jugor të Gazës të zgjasë disa javë, ndoshta deri në janar, kur pritet të kalojë në një strategji të hiper-lokalizuar me intensitet më të ulët, që synon në veçanti militantët dhe udhëheqësit e Hamasit.
Hanegbi tha po ashtu se nuk mendonte që udhëheqja e Hamasit kishte pritur një ofensivë gjithëpërfshirëse të Izraelit pas sulmit të 7 tetorit.
"Unë nuk mendoj se Yahya Sinwar (udhëheqësi i Hamasit në Gaza) e kuptoi se IDF do të arrinte në të vërtetë në çdo pikë që dëshironte brenda Gazës dhe do të vriste mbi 7,000 terroristë. Ky është vlerësimi minimal, mund të jetë më i lartë pasi ne nuk dimë gjithçka. Ne po afrohemi shumë me qendrat e kontrollit dhe komandën e Hamasit në Jabalia dhe Shejaiya, bastionet e rezistencës së vazhdueshme në Rripin verior të Gazës. Dhe në jug ne po operojmë ashpër", deklaroi Hanegbi.
Kur u pyet për mundësinë që Izraeli të zgjidhte mes vrasjes së Sinwarit dhe shpëtimit të pengjeve nëse ata ishin në të njëjtin vend, Hanegbi tha: “Ne mund të përballemi me një situatë të tillë, është një dilemë që i thyen zemrën çdo vendimmarrësi, por kjo do të thotë se e kemi arritur qëllimin”.
Deklaratat e shefit të sigurisë kombëtare të Izraelit vijnë në një kohë kur Shtëpia e Bardhë është thellësisht e shqetësuar se si do të zhvillohen operacionet gjatë javëve të ardhshme.
Sipas një zyrtari të administratës Biden, SHBA e ka paralajmëruar me vendosmëri Izraelin në biseda të vështira dhe të drejtpërdrejta midis liderëve se IDF nuk mund të përsërisë taktikat shkatërruese që përdori në veri dhe duhet të shmangë me çdo kusht viktimat civile. (A2 Televizion)