Në kritikat më të ashpra publike deri më tani kundër luftës së Izraelit në Gaza, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, denoncoi ata që e quajti hendek mes synimeve të deklaruara të qeverisë për të mbrojtur civilët dhe numrin e lartë të viktimave.
Teksa Tel Avivi këmbëngul se po merr masa për të minimizuar dëmet civile, kryediplomati amerikan e bën të qartë se mbetet thelbësore që mbrojtja e qytetarëve të jetë përparësi.
"Teksa ka kaluar një javë nga nisja e fushatës ushtarake në jug të Gazës pas fundit të armëpushimit është thelbësore që Izraeli të veprojë seriozisht për mbrojtjen e civilëve. Ka një hendek mes synimeve për t'i mbrojtur civilët dhe rezultatet aktuale që po shohim në terren", deklaroi Blinken.
Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi telefonata të ndara me kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe mbretin e Jordanisë Abdullah, duke theksuar nevojën kritike për të mbrojtur civilët dhe për t'i ndarë ata nga Hamasi.
Ai propozoi krijimin e korridoreve të sigurta që do të lejojnë njerëzit të lëvizin nga zonat e luftimeve. Deklaratat nga Shtetet e Bashkuara vijnë ndërsa Izraeli vijon me grusht të hekurt ofensivën në jugun e Gazës, ku të enjten u raportuan të paktën 350 viktima.
Deri më tani, mbi 17 mijë palestinezë thuhet të jenë vrarë, e gati 50 mijë janë plagosur. Mes viktimave ka edhe një sërë gazetarësh, përfshirë reporterin 37-vjeçar të Reuters Issam Abdallah, i vrarë nga tanket izraelite.
Bombardimet e pandalshme në zonën ku popullsia duhej të ishte e sigurt kanë shtyrë mijëra njerëz të shpërngulen pranë kufirit të Rafahut me Egjiptin. (A2 Televizion)