Avioni amerikan rrëzohet në Mesdhe, 5 viktima

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2023, 20:25 | Bota

Avioni amerikan rrëzohet në Mesdhe, 5 viktima

Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar pas një “aksidenti” gjatë stërvitjes në Mesdheun lindor, ku mbetën të vrarë 5 persona, njofton Komanda Evropiane (EUCOM) e SHBA në një deklaratë.

Incidenti, i cili aktualisht po hetohet, “lidhet thjesht me stërvitje dhe nuk ka shenja të qarta të aktivitetit armiqësor”, ka theksuar EUCOM.

Aksidenti nuk lidhet me luftën mes Izraelit dhe Palestinës. Vlen të përmendet se Izraeli është aleati më i afërt i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme. Amerika ka dërguar miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin çdo vit dhe që nga Lufta e Dytë Botërore, Izraeli ka qenë marrësi më i madh i ndihmës amerikane.

EUCOM, përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane në Evropë, një pjesë të Azisë dhe Lindjes së Mesme, nuk ka specifikuar se për cilin avion bëhej fjalë.

“Në respekt për familjet e prekura, ne nuk do të japim më shumë informacion për personelin e përfshirë në këtë moment”, thuhet në deklaratë.

Duhet të theksohet se EUCOM ka qenë përgjegjës për udhëheqjen e mbështetjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën përballë pushtimit rus. Në korrik të po atij viti, presidenti i SHBA Joe Biden urdhëroi vendosjen e rreth 3 000 rezervistëve për të përforcuar punën e komandës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu