Der Spiegel dhe WP: Një ushtarak ukrainas hodhi në erë tubacionin e gazit “Nord Stream”

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2023, 09:39 | Bota

Der Spiegel dhe WP: Një ushtarak ukrainas hodhi në erë tubacionin

Një ushtarak ukrainas ishte koordinator i shpërthimeve në tubacionet e “Nord Stream” që transportojnë gazin rus në Europën, në vjeshtën e vitit 2022.

Raportimi i bujshëm që trondit Kievin vjen nga gazeta amerikane Washington Post dhe gjermania Der Spiegel. Konkretisht, hetimi i përbashkët i dy mediave të njohura përqendrohet te roli i Roman Chervinsky.

48-vjeçari ka shërbyer në Forcat Speciale të Ukrainës dhe dyshohet se ka luajtur një rol kyç në sabotimin e gazsjellësit Nord Stream shtatorin e kaluar.

Duke cituar burime midis zyrtarëve ukrainas dhe atyre evropianë, si dhe "njerëzve në dijeni të detajeve nga operacioni i fshehtë”, WP dhe Spiegel nënvizojnë se Chervinsky ishte "koordinatori " i operacionit në Baltik.

The Post pretendon se koloneli ukrainas ishte përgjegjës për menaxhimin e logjistikës dhe mbështetjen për një ekip sabotazhi prej gjashtë personash që kreu sulmin.

Ai thuhet se kishte lidhje të forta me inteligjencën ukrainase, ushtrinë e Kievit dhe Shërbimin e Sigurisë Kombëtare. Si pjesë e Forcave Speciale ai dyshohet se kishte qenë përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve sabotuese.

Ekipi prej gjashtë personash që morën me qira një varkë me vela duke përdorur identitete të rreme dhe pajisje zhytjeje, për të vendosur pajisje shpërthyese në tubacione”, thuhet në artikull.

Sipas shkrimit investigativ, Chervinsky nuk e planifikoi operacionin i vetëm dhe mori urdhra nga zyrtarë të rangut më të lartë ukrainas. Ai raportoi te gjeneralmajor Viktor Hanushchak, i cili komunikoi drejtpërdrejt me komandantin e lartë ushtarak të Ukrainës, gjeneralin Valery Zaluzhny.

Por 48-vjeçari ka mohuar çdo rol në sabotim përmes avokatit të tij. “Të gjitha spekulimet për përfshirjen time në sulmin e Nord Stream janë përhapur nga propaganda ruse pa asnjë bazë”, tha ai në një deklaratë për Post dhe Der Spiegel.

Chervinsky është aktualisht në gjyq në Kiev, i akuzuar për shpërdorim të autoritetit të tij në përpjekje për të bindur një pilot rus të dezertojë.

Ai u arrestua në prill 2023 me akuzën e shpërdorimit të pushtetit të tij. Por, ai pretendon se gjyqi ndaj tij është i motivuar politikisht dhe akuzon zyrtarë të lartë në administratën e Presidentit Volodymyr Zelensky, përfshirë këshilltarin e lartë Andrey Yermak, si "spiunë" rusë.

Ndërkohë, vetë presidenti ukrainas ka mohuar vazhdimisht se vendi i tij qëndron pas shpërthimeve që dëmtuan tre nga katër tubacionet që përbëjnë Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 , duke nxjerrë gaz në Detin Baltik.

"Unë kurrë nuk do ta bëja këtë", i tha ai gazetës gjermane Bild në qershor.

Sakaq, vlen të theksohet se në gusht, edhe transmetuesi public gjerman ZDF raportoi se të gjitha provat në rastin e shpërthimit të Nord Stream nxjerrin Ukrainën fajtore.

Ata që janë të njohur me hetimin i konsiderojnë të dhëna që tregojnë për Ukrainën si veçanërisht bindëse”, tha transmetuesi gjerman ZDF në atë kohë, duke shtuar se “nuk ka prova të besueshme” që do të sugjeronin se Rusia qëndronte pas sulmit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni