Dhuna dhe protestat kundër emigracionit kanë përfshirë Irlandën e Veriut dhe disa qytete të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, pas një sulmi të rëndë me thikë në Belfast, për të cilin është arrestuar një 30-vjeçar i identifikuar si azilkërkues nga Sudani.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në Belfast, ku një burrë rreth të 40-ave mbeti i plagosur rëndë, pasi u godit me thikë në fytyrë, sy dhe shpinë, shkruan A2 CNN. Pamjet e sulmit, ku sudanezi shihet teksa tenton t’i presë kokën viktimës, u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta dhe thirrje për protesta nga llogari të lidhura me të djathtën ekstreme. Mes figurave që komentuan ngjarjen ishte edhe miliarderi Elon Musk.

Tensionet u përshkallëzuan mbrëmjen e së martës, kur në Belfast turma protestuesish të maskuar u vunë zjarrin disa shtëpive, automjeteve, barrikadave dhe një autobusi. Përleshje dhe incidente të dhunshme u raportuan gjithashtu në Newtownabbey dhe Kilkeel, ndërsa protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Londër e Glasgow, ku pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Protestuesit brohorisnin parulla kundër emigrantëve.

Ministrja e Parë e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, e dënoi ashpër situatën, duke e cilësuar atë si “banditizëm të pastër”. Sipas saj, grupe personash të maskuar po terrorizojnë komunitete të tëra, duke detyruar familje të largohen nga banesat e tyre pas djegies së shtëpive. Nga ana tjetër, deputetja Claire Hanna akuzoi protestuesit se po sulmojnë njerëz vetëm për shkak të origjinës apo ngjyrës së lëkurës.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi sulmin me thikë si "të tmerrshëm", por theksoi se autoritetet kanë zero tolerancë ndaj dhunës në rrugë. Sipas policisë, i dyshuari kishte leje të ligjshme qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2028 dhe hetimet paraprake nuk kanë gjetur lidhje të ngjarjes me terrorizmin. (A2 Televizion)