Bashkimi Evropian detyrohet të bëjë lëshime, fermerët 'paralizojnë' Evropën

Nga Rosalba Bejdo
26 Mars 2024, 15:39 | Bota

Kryeqytetet e vendeve të Bashkimit Europian janë paralizuar nga protesta e fermerëve. Ata kundërshtojnë politikat e unionit për të cilat thonë se po godasin biznesin e tyre. Protestuesit bashkë me traktorët protestuan në sheshin kryesor të Brukselit jashtë Parlamentit Evropian dhe u vunë zjarrin objekteve, teksa 27 ministrat e bujqësisë të BE diskutonin për krizën në sektor.

Më shumë se njëqind traktorë u panë nëpër rrugët e Londër të hënën në protestën më të madhe të organizuar nga fermerët britanikë. Ata pretendojnë se qeveria e tyre nuk po ndihmon mjaftueshëm në prodhimin e ushqimit.

"Ne jemi këtu sepse fermerët në Britani janë marrë si të mirëqenë për një kohë të gjatë, në vitet e fundit, ka ndodhur aq shumë sa fermerët nuk janë më në gjendje të ushqejnë populli britanik. Gjithnjë e më shumë importe po vijnë dhe këto importe janë prodhuar duke përdorur standarde që janë të paligjshme këtu. Po na nxjerrin jashtë biznesit. Ne besojmë se populli britanik dëshiron që ne t'i ushqejmë ata", tha Liz Webster, fermere britanike.

Protestuesit janë po ashtu kundër politikave të buta ndaj Ukrainës. Ata shprehen të gatshëm të ndihmojnë Ukrainën por mbështetja duhet tu shkojë fermerëve dhe jo korporatave të mëdha.

"E gjithë lufta Ukrainë-Rusi e bën jetën e fermerëve shumë të vështirë. Ne e dimë se duhet të ndihmojmë Ukrainën, por mënyra se si ndihmojmë tani nuk është e drejtë. Ne do të donim të mbështesim Ukrainën, por fermerët dhe jo korporatat e mëdha", u shpreh Christopher Janecki, fermer polak.

Fermerët në të gjithë Evropën kanë protestuar për muaj të tërë kundër burokracisë së Bashkimit Europian, marrëveshjeve të tregtisë globale si dhe praktikave të padrejta tregtare. Me protestat që po zhvillohen nga Finlanda në Greqi, Poloni dhe Irlandë, fermerët kanë fituar tashmë një sërë koncesionesh nga Bashkimi Europian dhe autoritetet kombëtare, nga lirimi i kontrolleve në ferma deri te dobësimi i pesticideve dhe rregullave mjedisore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos